Shoqëritë e ujësjellësve e mbledhin ujin dhe e ruajnë, e kontrollojnë, e mbrojnë dhe e përmirësojnë cilësinë e tij. Në fund, me anë të pompave e dërgojnë në rrjete tubacionesh që fillojnë nga burimi i ujit e që përfundojnë në rubinetat tanë.
Ndërmarrjet e ujësjellësve kanë laboratorë, ku analizojnë cilësinë e ujit. Ata punësojnë ekipe pune dhe shërbimi që e mbajnë rrjetin e tubacioneve në funksion dhe pompat në punë. Shumë prej tyre duhet të riparojnë tubacione të vjetra që rrjedhin ujë, këtë pasuri kaq të çmuar.
Pas menaxhimit të një ujësjellësi qëndron një ekip i tërë specialistësh të kualifikuar. Por këtë nuk e vëmë re për sa kohë kemi ujë sa herë që duam një pije të ftohtë apo të bëjmë një dush të ngrohtë.
Pse jua themi këtë? Sepse ujësjellësi juaj ka nevojë për gjithë mbështetjen që mund të marrë për të vazhduar punën. Ai ka nevojë për para për të paguar stafin, faturën e energjisë dhe investimet në tubacione, pompa dhe pajisje. Ju lutemi, mbajeni parasysh këtë sa herë që shikoni faturën e ujit. Është kontributi juaj për vazhdimësinë e furnizimit me ujë.
Përveç kësaj, ka katër hapa të thjeshtë që mund të ndërmerrni për të ndihmuar që në rubinetat tanë të vazhdojë të rrjedhë ujë i shëndetshëm.
Informohuni mbi burimet ujore nga varet komuniteti juaj. Merrni informacion nga shoqëria e ujësjellësit, nga bashkia apo komuna dhe nga OJQ-të.
Nëse ka një grup në komunitetin tuaj që merret me mbrojtjen e ujit, bashkohuni me të. Nëse jo, shihni mundësinë që ta krijoni vetë një të tillë.
Ndajini njohuritë tuaja me të tjerët. Bisedoni me fqinjët. Inkurajojini mësuesit në shkollën tuaj lokale që ta bëjnë mbrojtjen e ujit temë diskutimi. Filloni biseda në komunitetin tuaj. Sa më shumë njerëz të kuptojnë rëndësinë e ujit, aq më të sigurt jemi që të gjithë.
Krijoni një grup që monitoron burimet e ndotjes dhe që angazhohet me palët e interesuara.
Mblidhuni për një ditë pastrimi në burimet lokale të ujit dhe në lagunat përreth. Bëjeni ujin temë kryesore. Dhe mos u tregoni kurrë të durueshëm me ndotësit: Nëse ju mund të jepni kontributin tuaj, të gjithë mund të bëjnë të njëjtën gjë.
Faleminderit për mbështetjen!