Arbëri Bytyçi, Ambasadore e fushatës Just Add Water
Jam Arbëri Bytyçi dhe jetoj në Prishtinë. Kam përfunduar studimet e larta me titull Master i Shkencave të Biologjisë, dhe prej vitesh kam ndërtuar përvojën time profesionale në fushën e mjedisit dhe ujit – përmes analizave të cilësisë së ujit, kërkimeve në terren dhe punës institucionale në sektorin publik dhe jo vetëm.
Aktualisht, jam pjesë e ekipit të Shoqatës së Ujësjellësve dhe Kanalizimeve të Kosovës (SHUKOS), ku kontribuoj në fushën e komunikimit, organizimit të trajnimeve dhe koordinimit me ndërmarrjet e ujit në nivel vendi.
Motivimi im për t’u bërë pjesë e fushatës Just Add Water buron nga bindja e thellë se uji i pastër është një e drejtë themelore dhe jo një luks. Si profesioniste e përkushtuar në mbrojtjen e mjedisit, ndjej përgjegjësi qytetare dhe etike për të kontribuar në ndërgjegjësimin për mbrojtjen e burimeve ujore dhe promovimin e qasjes së barabartë në ujë për të gjithë – sot dhe në të ardhmen.